Zëri i Arsyes
Oazë e Frymës së Zgjimit dhe Përmirësimit

├ Letra

Të këshillohemi, para se të veprojmë!

9539534

Abdulhamid Fera

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimi mbi të dërguarin e Allahut, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që pasojnë udhëzimin e tij deri në ditën e Gjykimit.

Desha të shkruaj disa fjalë rreth reagimeve ndaj asaj faqes, që shumë muslimanë e kanë shpërndarë tek vëllezërit dhe motrat muslimanë, duke menduar se janë duke i shërbyer fesë sonë, Islamit, e në fakt, i kanë bërë reklamë e marketing të hatashme asaj faqe të ndyrë.

Vëllezër e motra në Islam, dua të shpreh atë që ndjej në shpirt, e që më vret shumë, sepse disa muslimanë “të devotshëm”, e që ndoshta përpiqen të veprojnë në të mirë të Islamit, bëjnë vepra që u duken të mira, por në realitet i bëjnë dëm vetes dhe të tjerëve. Ndoshta një pjesë të madhe të kohës së tyre ia kushtojnë veprimtarisë islame, por nuk veprojnë siç duhet. Kjo, sipas mendimit tim, është si pasojë e asaj se, shumë muslimanë punojnë sipas mendjes së tyre, e nuk këshillohen me njerëz, që Allahu i ka begatuar me dituri islame.

A thua vallë, me çfarë logjike punojnë? Zgjohuni o muslimanë!

Nëse vazhdohet të punohet me këtë logjikë, pa menduar e pa analizuar, qorrazi, s’arrihet gjë, vetëm se përçarje e shkapërderdhje të radhëve tona. E dhatë besën se, iu nënshtruat Allahut dhe të Dërguarit të Tij, atëherë dijeni se, Islami vazhdon t’ju thërrasë, duke ju thënë: “Dhe kapuni që të gjithë për litarin (fenë e Kur’anin) e All- llahut e mos u përçani…” [Kur’an, 3:103]

E ata muslimanë që ndërmarrin veprime, e shpërndajnë gjëra pa u këshilluar me njerëz të dijes, nëse është në të mirën e muslimanëve apo në të keqën e tyre, sjellë edhe përçarjen, duke i bërë reklamë e marketing gjërave të padobishme. Në njëfarë mënyre a tjetër, edhe ky litar, shkëputet, apo, bie në kundërshtim me fjalët e Allahut subhanehu ve teala.

Allahu i Madhërishëm na porosit të mos ndahemi, të mos shkëputemi prej njëri-tjetrit, të duhemi e të mos urrehemi, e të mos lejojmë mes radhëve tona të depërtojnë gjëra që na largojnë.

Allahu subhanehu ve teala thotë: “E mos u përçani në mes vete e të dobësoheni e ta humbni fuqinë…” [Kur’an, 8:46]

Ne humbim fuqinë ditë e më shumë, për shkak të përçarjes, e përgojimi është fillesa, duke pretenduar secili çka është mirë për veten dhe veprimet e veta; e kjo solli edhe gjendjen në të cilën jemi sot ne muslimanët.

Allahu subhanehu ve teala na vetëdijesoftë, na faltë e na i bashkoftë radhët tona! Amin!

Vëllai juaj në Islam, Abdulhamid Fera, Esselamu alejkum!

Kaçanik, 10.12.2008

Këtë e pëlqejnë %d blogues: