Zëri i Arsyes
Oazë e Frymës së Zgjimit dhe Përmirësimit

Paragjykimet

6546466“Paragjykimet si qëndrime negative janë burim i diskriminimit që është sjellje negative. Për këtë arsye paragjykimi është edhe një problem i madh sot në botë. Mbi bazën e paragjykimeve janë zhvilluar shumë luftëra në botë, të cilat kanë pasur pasoja katastrofale.”

Shkruan: Muhamed Spahiu

Fillimisht paragjykimin duhet pranuar si ves, i cili duhet të luftohet brenda personalitetit, para se ai të bëhet pjesë e sjelljes dhe kulturës sonë.

Paragjykim është mendim i gabuar; i ngulitur nga njohja jo e plotë e dukurive të botës dhe e shkaqeve të tyre, nga i cili niset dikush në gjykimet e në veprimet e tij në kundërshtim me dijen e arsyen. Apo, pikëpamje a qëndrim, që formohet nën ndikimin e shoqërisë e të mjedisit dhe mosnjohja e përvoja e jetës. Pra, me paragjykim nënkuptojmë diçka që është formuar që më parë për dikë a për diçka pa e njohur mirë dhe që e pengon për ta vlerësuar atë me paanësi.

Historia botërore dhe jeta e çdo individi janë të mbushura me raste të përditshme mospëlqimesh dhe urrejtjesh shpesh herë pa shkak. Këto mospëlqimesh dhe urrejtjesh janë pasojë e besimeve, qëndrimeve, dhe sjelljeve të gabuara, pa shkak dhe shpesh të pavetëdijshme të individëve ndaj grupeve të caktuara shoqërore. Njeriu është krijuar nga një përzierje e bashkëdyzuar e cila në vete përmban virtyte dhe vese. Arsyeja e kësaj është të sprovohet njeriu se cila nga këto dy fuqi do të ngadhënjejë tek ai. Me përfilljen e Mësimeve Hyjnore dhe arsyes së shëndoshë, ai do të jetë i aftë që t’i mposhtë tendencat e liga, vesin, të shëmtuarën dhe të kotën, ndërsa në të kundërtën, nëse ai tregohet neglizhent ndaj këtyre mësimeve, ai nuk do të jetë i gatshëm që të përballet me to dhe nga kjo arenë do të dalë si i mposhtur. Njerëzit i perceptojnë veprimet dhe qëndrimet e grupit tjetër në mënyrë të ndryshme nga veprimet e veta apo anëtarëve të grupit ku bëjnë pjesë.

Midis dy grupeve apo dy personave që konfliktohen ka gjithmonë diçka të përbashkët: tendenca për të gjetur fajin tek grupi apo personi tjetër. Kjo ndodhë pikërisht për shkak të urrejtjes grupore e cila vazhdon pa fund. Urrejtja e krijuar në mes grupeve bën që gjithmonë të tjerët t’i shohim si të rrezikshëm dhe me qëllime armiqësore për grupin tonë. Kjo pamundëson gjykimin e drejtë me anë të logjikës së shëndoshë, dhe bën që emocionet të jenë aleat i fuqishëm kundër saj. Për këtë arsye, Këshilltari i Njerëzimit, Muhamedi a.s. thotë se: “Urrejtja i zhdukë veprat e mira, ashtu siç i djegë zjarri drutë”.

Paragjykimi vlerësohet si qëndrim, zakonisht negativ, ndaj anëtarëve të disa grupeve dhe që bazohet vetëm në anëtarësinë e tyre në këto grupe. Cilësitë individuale të anëtarëve të këtyre grupeve nuk kanë rëndësi, ata nuk pëlqehen, sepse, thjesht u përkasin grupeve të tilla. Një vlerësim i tillë ndodhë edhe ndaj anëtarëve të disa familjeve, dhe kjo është një dukuri mjaft e përhapur në kulturën tradicionale të shqiptarëve. Shpesh ndodhë që njerëzit kanë qëndrim negativ, ndaj anëtarëve të disa familjeve dhe që ky qëndrim bazohet vetëm në anëtarësinë e tyre në këto familje. Cilësitë individuale të anëtarëve të këtyre familjeve nuk kanë rëndësi, ata nuk pëlqehen, sepse, thjesht u përkasin familjeve të tilla. Përderisa për këtë Profeti Muhamed transmetohet të ketë thënë: “Dy Gjëra nëse gjenden tek njerëzit, do t’i shpijnë ata në humbje: përbuzja e dikujt për shkak të prejardhjes së tij dhe vajtimi për të vdekurin”.

Këto vlerësime negative ndaj të tjerëve janë quajtur si paragjykime dhe mundë të rrjedhin nga nevoja për të justifikuar sjelljen, nga shoqërime të caktuara emocionale, që shpesh janë besime, ide apo koncepte negative. Besime të tilla për cilësi personale të një grupi njerëzish janë quajtur stereotipi. Stereotipet janë përgjithësime skajore, të pa sakta. Stereotipet janë besime që shoqërojnë grupet e njerëzve me disa lloje të veçanta karakteristikash. P.sh. japonezët janë tinëzarë, italianët emocional, anglezët të ftohtë, çifutët materialist, serbët janë mizorë etj.. Përderisa stereotipat janë besime të gabuara përgjithësuese, paragjykimet janë qëndrime negative.

Paragjykimet si qëndrime negative janë burim i diskriminimit që është sjellje negative. Për këtë arsye paragjykimi është edhe një problem i madh sot në botë. Mbi bazën e paragjykimeve janë zhvilluar shumë luftëra në botë, të cilat kanë pasur pasoja katastrofale. E gjithë kjo ka ndodhur si pasojë se paragjykimet kanë një shtrirje të gjerë në qëndrimet njerëzore. Nëse paragjykimet janë qëndrime negative, atëherë cila është rruga që të ndryshohen këto qëndrime?

Fillimisht paragjykimin duhet pranuar si ves, i cili duhet të luftohet brenda personalitetit, para se ai të bëhet pjesë e sjelljes dhe kulturës sonë. Rruga për eliminimin e këtij vesi padyshim se nuk është e shkurtër dhe pa sakrifica. Mirëpo, çdo rrugë e gjatë fillon me një hap, e pastaj me insistimin e vazhdueshëm për të arritur në cakun e dëshiruar ajo mbaron. Hapi i parë dhe vendimtarë në këtë rrugë është që njeriu të pranoj betejën me vetën e tij dhe pastaj të zhytet në thellësitë e saj, për të zbuluar dobësitë dhe gjithë atë që e shqetëson shpirtin e tij. Pra njeriu duhet të ndërtoj qëndrime dhe të marrë vendime duke u bazuar në arsyen për kundër emocioneve dhe epshit.

2 Përgjigje to “Paragjykimet”

  1. Një përmbledhje e qëlluar, një shkrim i nevojshëm, një temë aktuale…

    Allahu ju begatoftë ashtu siç Ai di.

  2. Eshte dicka qe eshte ne cdo mendje shqiptari. Shqiptarit i pelqen te merret pak me shume me te tjeret se sa me veten.


Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: