Zëri i Arsyes
Oazë e Frymës së Zgjimit dhe Përmirësimit

Mar
13

654344Shkruan: Alban Hysa

Çdo njeri gjatë jetës së tij përballet me sfida të ndryshme, qofshin ato të mëdha apo të vogla. Por, jo çdo njeri ia del mbanë apo dorëzohet para sprovave që e godasin. Besimi i sinqertë në Zotin dhe durimi si cilësi e devotshmërisë, formojnë tek njeriu besimtar një karakter me moral të lartë, që njëkohësisht shndërrohet dhe bëhet forcë që përballon sprovat dhe gjithë ato pengesa që vijnë drejt tij!

Shumica e njerëzve në ditët e sotme ngatërrojnë (pa)vetëdijshëm të ardhmen me të kaluarën, pa hetuar fare, se, po e harrojnë të tashmen! Po ashtu nuk dallojnë ëndrrat nga realiteti, dëshirat me mundësitë, dhe si pasojë e kësaj fundosin veten në mëkate.

Çka e bën njeriun e kohës së sotme të jetë i pafuqishëm, sa mos të jetë në gjendje të zgjidh problemet që ka, apo të zgjohet nga “gjumi” dhe të mos ngatërroj ëndrrat me realitetin?! Po çka e bën atë të brengoset, se dëshirat e tij nuk përputhen me mundësitë që ka?! Po pse ai dyshon në të ardhmen, kur e tashmja po thërret?! Zgjidhjen e këtyre dilemave njeriu duhet t’i kërkojë duke pastruar zemrën dhe mendjen e tij. Pse e themi këtë? Sepse Muhammedi a.s. ka thënë: “Është një copë mishi në trupin e njeriut, që nëse ajo është e sëmurë, i tërë trupi është i sëmurë, e ajo është zemra.” Mundohu të jetë e pastër zemra jote, ngase do të jesh i shpërblyer.

Allahu i Madhërishëm thotë: “Thuaj: “Nuk është e njëjtë e keqja dhe e mira, po edhe nëse të mahnit ty shumimi i së keqes, pra kini frikë Allahun (e mos pranoni të keqen) o ju të zotët e mendjes, ashtu që të shpëtoni.” – [Kur’an, 5:100]

Mos kërko pamundësitë, se do të humbasësh mundësitë; mos tradhëto, se do të jesh i urrejtur; mos humb kohë, se ajo ikën! Atëherë çfarë po pret, o njeri?! Ende je në dyshim?! Largo dyshimin, se sjellë shkatërrim, por bindu, pendohu, nënshtrohu dhe kërko falje tek Allahu i Madhërishëm me sinqeritet, pa dyshim do të jesh i ndihmuar të gjesh rrugën e drejtë plot dritë që të shpie në Xhennet.

Dhj
26

9889797Ata, xhelozët e ziliqarët, nuk janë tjetër veçse si gjarpërinj të zinj, të cilët rrinë të gatshëm për të helmuar…!

Shkruan: Rabije Çallaku – Mamuti


Ruaje veten nga helmi: xhelozia e zilia.

Varfëri, thatësira, vërshime, tërmete. Plogështi, pesimizëm, nervozizëm, zili, xhelozi, inat. Vallë, pse gjithë këto? Përse ky egoizëm aq i madh, saqë secili vetëm për veten e vet mendon, e kurrë për të tjerët. Ku është ajo dashuri, ajo ndihmë që jepej dikur për njëri-tjetrin? Ku është, ku humbi?

Sa keq që ky egoizëm e kjo mendjemadhësi ndaj njëri-tjetrit na e ka nxënë frymën dhe nuk po na lë që të marrim frymë lirshëm, e të kënaqemi në oqeanin e mirësisë, dashurisë, mëshirës e solidaritetit.

Terr dhe vetëm terr! Kudo dhe ngado terr! Thuajse në çdo cep, kah do që të kthesh kokën nuk sheh gjë tjetër vetëm se terr, zi, mjegull. Çudi apo jo!

Egoizmi është një shëmti që edhe vetë njeriun e  dëmton, më së shumti bile. Na ka shtrënguar dhe nuk na lë që të çlirohemi, por çdo moment na e merr, pa i shijuar kënaqësitë e të mirave duke na cytë për shëmti dhe duke na udhëzuar që vetëm ne  të jemi kryesorë, vetëm ne  të kemi fjalën kryesore e të tjerëve aspak të mos u lihet hapësirë. E gjithë kjo është nga mendjemadhësia, e dihet se ku e ka vendin mendjemadhi. Allahu na ruajttë!

Ai nuk është i mirëpritur as në Dunja e as në Ahiret. Madje në Dunja jo vetëm nga te rriturit nuk është i mirëpritur, por edhe fëmija që ende nuk i ka kuptuar gjërat mirë, largohet dhe irritohet nga mendjemadhi. Po, e keni parë kur një i rritur mendjemadh i afrohet fëmijës për ta lakmuar, e përqafon, sesi  ai fëmijë largohet  pa e ditur shkakun?

Porse në mënyrë instiktive tërhiqet, sepse Allahu i ka dhënë ndjesinë që të jetë i bute e i ndritur dhe të dalloj këto cilësi edhe tek të tjerët, e mendjemadhi është i shëmtuar në sy të të sinqertëve, prandaj edhe fëmija tërhiqet nga ai sepse është i sinqertë ! Interesant me njeriun mendjemadh! Dëshiron të lavdërohet edhe për punët që nuk i ka kryer vet ai, Allahu në lidhje me këtë në Kur’an thotë:  “Dhe dëshirojnë të jenë të lavdëruar edhe për atë që nuk e punojnë.” – Kur’an, 3:118. Ai do të jetë ai dhe vetëm ai, e jo dikush tjetër.

Ai bartë me vete të gjitha cilësitë e këqija: bartë zilinë, mërinë, smirën, egoizmin! Ai në jetë as edhe një herë nuk është i qetë, sepse secila nga këto cilësi e ngacmon kohë pas kohe.

Është thënë: “Ziliqari s’është i qetë, ai është zullumqari i vetvetes, është armik që rri i mbështjellë me pëlhurë të mikut” Pastaj kanë thënë: “Sa e mirë e sa e drejtë është zilia, fillon me pronarin e saj e pastaj e mbytë po atë.” Vërtetë xhelozi e ziliqari është ai që e ndez furrën dhe hyn e piqet vetë në të. Allahu na ruajttë nga ziliqari e smirëkeqi!

Ata, xhelozët e ziliqarët, nuk janë tjetër veçse si gjarpërinj të zinj, të cilët rrinë të gatshëm për të helmuar, dhe që s’largojnë gjuhën nga trupi përderisa të mos e lëshojnë edhe pikën e fundit të helmit në një trup të pafajshëm. Kjo është një sëmundje që të prish dhe të bën prej të humburve e Allahu na ruajttë, që, të mos bëhemi prej tyre, e të mos biejmë në atë gjendje, por edhe të na largojë nga ky lloj njerëzish, sepse shumë lehtë edhe mund të helmohemi nga helmi i tyre i  rrezikshëm.

Lusim Allahun e Madhërishëm të mos jemi në këtë grup njerëzish, sepse nuk i përshtatet besimtarëve të sinqertë. Dashtë Allahu e të jemi robër të sinqertë, e të mos helmohemi nga ky lloj njerëzish, të cilët ndonëse edhe nuk ia kanë frikën as Allahut të Madhëruar, e lere më të tjerëve.

Dhj
26

66767571Kohën nëse nuk e shfrytëzon, ajo të “vret” ty…!

Shkruan: Faton Zharku

Sikur askush nuk e di pse kohën kot e çon.

Është bërë modë që t’i festojmë të gjitha festat e krejt popujve. Festohet, Nata e Shtrigave me qëllim që fëmijët tanë të djallëzohen sa më shpejtë! Për një njeri bëhet festimi në tri data të ndryshme. Festohen festat e fundvitit me qëllimin që sa më shumë të fitojnë tregtarët, biznesmenët etj. Askush nuk e di pse feston. Konsumohet alkooli me të madhe për “vit të ri”, thuajse ishte pija e preferuar dhe obliguar e Isa a.s.. Shpenzohet me të madhe, kurse Isa a.s. ishte modest dhe e urrente shfrenimin. Fundviti është momenti kur secili duhet t’i  bëjë llogaritë sa e si po i del bilanci: pozitivë a negativë. Fitër-Bajramin dhe Kurban-Bajramin askush nuk po na i feston prej jomuslimanëve. Mos i kemi borxh ne dikujt?!

“Vrasja e kohës”. Popujve të përparuar iu mungon koha për arritjen e qëllimeve të tyre. Koha nuk është një produkt që blihet. Po të ishte mall që del në treg, shqiptarët do të kishin zënë vendin e parë. Koha është produkt i kot për shoqërinë tonë! Të gjithë  kohën do ta kishim eksportuar për popujt që ia dinë vlerën kohës. Mundësia nuk ekziston për shitje kohe!

Fatkeqësi është për ne, kur i dëgjojmë disa kur thonë: po dalë pak me humbë kohë! Thonë se koha është para. Jo, koha është parajsë, për atë që e kupton. Kohën nëse nuk e shfrytëzon, ajo të “vret” ty. Kurrsesi e kundërta!

Fëmijët në rrugë . Hesapi është prishur. Të rriturit e fëmijët të gjithë i ke online në rrugë. Edhe ditën edhe natën ata “ pushtojnë” rrugët. Janë bërë si një “ armatë” që mundësia për tu inkuadruar në grupe mafioze është shumë e madhe. Prindërit tanë, si duket po kanë dëshirë që të lirohen nga përkujdesja ndaj fëmijëve të tyre. Për atë edhe nuk po dëshirojnë që ti kenë në shtëpi. Me rëndësi që të mos kenë përgjegjësi! Përderisa të mos forcohet lidhja dhe përkujdesja e prindërve ndaj fëmijëve nuk mund të ketë shpresë për një të ardhme më të mirë. Pasuria dhe fëmijët janë një sprovë për njeriun. Kur njeriu të bëjë menaxhimin e tyre sa më të mirë, ato bëhen stoli të kësaj bote.

Muzika “inspirim”. Këngët që po dëgjohen po e kanë efektin e vet shumë të madh negativë, sidomos tek rinia. Muzika dhe kënga është bërë pjesë e pandarë e rinisë sonë. Gjumi dikë nuk e zë pa ia kënduar “ninullat” ndonjë rep a rock grup etj.. deri tek tallava këngët! Tekstet e këngëve shumë shpejt vihen në praktikë. “Dëgjuam dhe respektuam” mesazhin e këngës. Sikur të ishte dëgjimi dhe respektimi për diçka të mirë, shumë larg përpara do të ishim ne si shoqëri. S’po e dimë pse fati nuk po është në anën tonë! Prirja jonë për të bërë të keqen, është përgjigja.

Frika e panevojshme. Disa njerëz i paragjykojnë të tjerët pse hynë në Shtëpitë ku bëhet adhurimi i Zotit. Kurse po të hynë dikush në vendet ku bëhet e keqja, askush nuk flet. Heshtja në këtë rast është rregull. Disi jemi mësuar me të keqen. Pllakat e trurit tonë i kemi ndërruar. Të mirës po i themi të keqe, të keqes po i themi e mire!

Edhe frika është e pranishme tek disa që këmbën nuk e vendosë në Shtëpi të Adhurimit. Ndoshta është i pranishëm vetëm kur vdekja e thërret. Njeriun ai e injoron. Frika e panevojshme lind si pasojë e paragjykimeve. Njeriu është armik i asaj që nuk e njeh. Njihni të vërtetën, se e vërteta do t’ju bëjë të lirë!

Shiko veten në pasqyrë! Në çka kohën po e kalon dhe ç’dite po feston!

Dhj
25

76575675756Përderisa te populli ynë turpi vlerësohet si aftësi dhe shkathtësi, kurse nderi si mendjelehtësi dhe papjekuri, nuk mund të ketë zhvillim të shëndoshë.

Shkruan: Adnan Vishi

Morali mban shoqërinë.

Aq shumë janë shtuar devijimet në mesin e popullit tonë,saqë secili njeri i ndershëm dhe i moralshëm ka filluar ta ngre zërin e arsyes kundër këtyre dukurive negative, madje edhe në shumë gazeta gjejmë se këto zëra sa vijnë e shtohen.

Sa për ilustrim, në këtë temë do t’u paraqesim një shkrim që flet për një pasqyrë shumë të keqe që mbretëron në mesin e të rinjve tanë.

Në një gazetë ditore,një autor shqiptar në seksionin opinione/press e sjell një shkrim me titull “Multikulturalizmi, politika dhe vlerat morale”, nëntitullin “Prishja e moralit”, pasi që i tregon disa raste shumë të fëlliqura dhe shumë të poshtra, për të cilat turpërohem dhe më vjen inati t’i përmendi, ai pastaj shkruan:

“Këto ngjarje që janë duke ndodhur në këtë vend, janë vetëm në dëmin e krejt popullit shqiptar dhe nuk bënë që të heshtim aspak. Ne si shoqëri shqiptare në këtë vend,duhet të bëhemi shembull dhe pishtarë për të mirë t’i luftojmë dhe urrejmë të këqijat. Duhet që t’i lidhim ngushtë vlerat kombëtare me ato fetare, të mësojmë zotësitë e ndryshme shoqërore dhe të organizohemi për një të mirë të përbashkët. Të mos lejojmë qe amoralët të na udhëheqin, por të krijojmë kuadrot tona të ushqyera me moral dhe me mirësi,nëse e duam shqiptarinë!” (Gazeta “Lajm”, nr. 621, e hënë 14 maj. 2007).

Ky shkrim që e paraqitëm në këtë fillim na tregon se sa alarmante është gjendja në mesin e rinisë sonë dhe se ndërhyrja jonë për përmirësimin e kësaj gjendje duhet të jetë urgjente dhe kolektive. Nga ana tjetër, na detyron të shfaqim edhe një herë nevojën e madhe që ka populli ynë për rikthim të fesë në pozitën që ka pas dhe insistimin për futjen e mësimbesimit në shkollat tona. Njëherazi edhe na e shton brengosjen ndaj disa dukurive dhe tentimeve për ta nëpërkëmbur fenë dhe për t’i dhënë fesë drejtim negativ dhe destruktiv në shoqërinë tonë.

Vlerat që duhet t’i posedojë rinia jonë

Në këtë kohë të destruktivitetit të madh dhe degjenerimit, i cili është duke e sulmuar vazhdimisht rininë tonë, duhet të flasim për rikthim të vlerave tona të mirëfillta, që në origjinë janë fetare dhe pa të cilat nuk mund të ketë zhvillim të shëndoshë të popullit tonë.

Prej këtyre vlerave dhe cilësive, që doemos duhet t’i posedon rinia jonë, për të na garantuar një ardhmëri më të begatshme janë këto:

1.Morali

Tërësi rregullash, parimesh, dhe normash të sjelljeve që rregullojnë raportet ndërmjet anëtarëve të bashkësisë së caktuar shoqërore, duke përcaktuar mënyrën e sjelljes së individit ndaj rrethit, ndaj të tjerëve dhe ndaj vetvetes. Kurse, nga ana tjetër, paraqet edhe tërësi të forcave të brendshme që e shtyjnë njeriun të veprojë, të qëndrojë a të plotësojë një detyrë, gjendja e brendshme shpirtërore e dikujt. Në mungesë të kësaj force, shumë vështirë është të zhvillojmë një rini e cila do t’i siguron popullit tonë një ardhmëri të lumtur dhe të shëndoshë.

2. Nderi

Tërësia e vetive a e tipareve morale të njeriut, që burojnë nga parime të caktuara, që çmohen nga shoqëria dhe që shfaqen në sjelljet e në veprimet e tij në rrugë të drejtë, cipa e njeriut në shoqëri, që ai e ruan me krenari dhe që nuk lejon t’ia cenojnë askush.

Domethënë, përderisa te populli ynë turpi vlerësohet si aftësi dhe shkathtësi, kurse nderi si mendjelehtësi dhe papjekuri, nuk mund të ketë zhvillim të shëndoshë.

Madje, edhe dukuritë më degjeneruese morale që shfaqen në mesin e popullit tonë, nuk guxon askush t’i kundërshton e as ti konteston, sepse ato vetëm se janë bërë dukuri dhe trende që duhet të respektohen, përndryshe ai që i kundërshton dhe i konteston, del si jashtëtokësor dhe njeri i cili nuk ecë me trendet e kohës dhe vendit.

3. Virtyti

Virtyti është prirje dhe forcë e brendshme që ka njeriu për të bërë punë të mira; vetia më e mirë që ka ai, cilësi e lartë morale e njeriut, pastërti e përsosuri morale; kund. ves. (Shiko: “Fjalori i shqipes së sotme”, fq. 1463).

Virtyti është forcë e brendshme, e cila ushqehet me besim dhe madhërim të All-llahut, i cili është Mbikëqyrës i njerëzve, i Cili e di atë që e fsheh njeriu dhe atë që e publikon, andaj edhe në mungesë të besimit dhe frikës nga All-llahu,atëherë si ka mundësi që njeriu ta përsos moralin dhe të pajiset me virtyte?!

4. Dëlirësia

Dëlirësia nënkupton të qenët i pastër, pa pluhur, pa plehra, apo thënë më mirë, pastërti.

Të qenët i pastër nga shpirti, pastërti shpirtërore; të qenët i çiltër, çiltërsi; të qenët i ndershëm, ndershmëri. (“Fjalori i shqipes së sotme”, fq. 231).

Për këtë qëllim ka ardhur Islami dhe është dërguar Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, që t’u pastron njerëzve shpirtin dhe ai që punon për pastrimin e shpirtit të tij, ai i siguron vetes shpëtim.

All-llahu xh.sh. thotë:

“Zoti ynë, dërgo ndër ta, nga gjiu i tyre të dërguar që t’u lexojë atyre ajetet Tua, t’u mësojë atyre librin dhe urtësinë, e t’i pastrojë (prej ndytësisë së idhujtarisë) ata. S’ka dyshim se Ti je ngadhënjyesi, i dijshmi”. (El-Bekare: 129).

Në një ajet tjetër Allahu xh.sh. thotë:

“Pra, ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten. E ka dështuar ai që e poshtëroi vetveten”. (Esh-Shems: 8-9).

5. Frikë-respekti

Njeriu zakonisht duhet të jetë i përmbajtur në jetën e vet dhe nuk duhet t’u lëshohet pasioneve të kësaj dynjaje dhe të jepet pas epsheve të veta.

Mu për këtë, All-llahu xh.sh. vazhdimisht kërkon prej besimtarëve që të jenë të përmbajtur dhe të kenë frikë-respekt, që në gjuhën e fesë ka kuptimi i takvallëkut. Madje, shpëtimin e njeriut dhe me automatizëm shpëtimin e shoqërisë e ka ndërlidhur me devotshmërinë duke thënë:

“… kini frikë All-llahun që ashtu të gjeni shpëtim”. (El-Bekare: 189).

“O ju që besuat, kini frikë All-llahun me sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni, pos vetëm duke qenë muslimanë (besimtarë)!” (Ali Imran: 102).

Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka treguar se trim dhe luftëtar është ai që e lufton epshin e tij për hir të All-llahut xh.sh.,duke u thënë sahabëve (shokëve) të tij:

“A t’ju tregoj kush është besimtar? Besimtar është ai, të cilit njerëzit i besojnë për pasurinë dhe shpirtin e tij. Musliman është ai, nga dora dhe gjuha e të cilit janë rehat njerëzit, muxhahid është ai që lufton epshin e tij duke e respektuar All-llahun dhe muhaxhir është ai që i braktis gabimet dhe gjynahet”. (Sahih, “Es-sahiha”, 2, fq. 89).

Këto janë vetëm disa prej vetive që duhet t’i posedon një musliman i ri, nëse dëshirojmë t’i sigurojmë popullit tonë një ardhmëri të sigurt dhe të qetë. Së fundi, një njeri pa këto vlera dhe veti,është për t’u dyshuar se a ka mbetur diç nga njerëzishmëria e tij!

– Vazhdon –

Dhj
22

7898798798

Dija është e mirë dhe e dobishme për njeriun nëqoftëse nuk e keqpërdorë…

Shkruan: Faton Zharku

Mos e keqpërdor natyrshmërinë e pastër.

Mos keqpërdor. Fjalë me peshë të madhe në jetën tonë. Fatkeqësisht nuk e përdorim shpesh këtë fjalë. Mungon nga fjalori ynë i përditshëm në shoqërinë tonë. Disi jemi mësuar me të keqen, sa që jemi pajtuar të jetë pjesë e realitetit  tonë. Sa më shumë që bëhen gabime, aq më shumë kemi nevojë të themi fjalën mos keqpërdor! Sot shumë gjëra keqpërdoren tek ne. Fjalë mjaft me vlerë: “Disa gjëra janë shpatë me dy teha”.

Mos keqpërdor pozitën tënde. Disa njerëz në momentin kur të arrijnë që të ngrihen në ndonjë pozitë të lartë, fillojnë ta keqpërdorin pozitën e tyre. Bëjnë vjedhje në vendin e punës. Marrin ryshfet për kryerjen e ndonjë pune ndokujt. Të kushtëzojnë; nëse ata ta kryejnë ndonjë punë, kërkojnë prej teje që t’i gostitësh me ndonjë drekë apo darkë. Po, mund të kërkojnë që edhe ti t’ia kryesh ndonjë punë, pasi, ai ta ka “kryer” një punë të mirë. Me normë të “kamatës”. Kuptohet!

Mos keqpërdor internetin. Interneti është një librari virtuale ku thuajse e gjithë dija e botës është në atë kuti të vogël të kompjuterit. Shoqëria jonë shumë pak e përdorim për mirë. Shumë pak e përdorin për të marrë dije, qoftë periferike apo profesionale. Shumë pak e përdorim për të kërkuar dhe aplikuar për ndonjë vend pune. Shumë pak prej njerëzve e përdorin internetin për të mësuar ndonjë gjuhë të huaj. Po, edhe për të mësuar ndonjë program për avancim sa më të lartë në ndonjë shkencë. Shumë pak e përdorim për mirësi. Përdoret interneti për t’u  inkuadruar në dhoma të chatit, për të shikuar e dëgjuar gjëra të liga! Ju lexues numëroni të tjera keqpërdorime. Kështu si përdoret interneti tek ne është turp. Aftësohu për të mos keqpërdorur të mirat e internetit, pastaj hyr në internet. Ndryshe nuk bën!

Mos keqpërdor TV –në. Shumë shikohet televizori tek ne, sa që kur ka rrymë në shtëpi, nuk dimë ta fikim atë. Vetëm kur ndalet rryma, atëherë fiket, pa dëshirën tonë. Shumë pak në televizor ka emisione edukative-arsimore, shumica janë çedukative! Shikon në tv, seriale latino-amerikane, sa që kemi filluar të kopjohen në jetën e përditshme. Ka filma me skena të krimit, sa që ia kemi nisur të bëhemi të dhunshëm në shoqëri. Dëgjojmë këngë, nga fjalët e tyre vetëm se nuk na shkatërrojnë shpirtin dhe moralin. Pra, jeta jonë është bërë copy – past  nga tv-ja, për ne!

Mos keqpërdor dijen. Dija është sikur shiu për tokën e thatë. Ekziston mundësia që edhe dija të keqpërdoret. Disa marrin dije për t’u pasuruar sa më shpejtë në rrugë të dyshimta. Disa marrin dije për të shkatërruar jetëra njerëzish. Disa marrin dije për të bërë dredhirash etj. Pra, dija është e mirë dhe e dobishme për njeriun nëqoftëse nuk e keqpërdorë. Edhe djalli kishte dije të madhe, por dija e tij nuk i bëri dobi! U mallkua! Vetëm se sherr. Këtë e dini të gjithë.

Mos keqpërdor jetën. Kemi lindur pa vullnetin tonë, jetojmë me një qëllim në jetë. Varet se, a kemi qëllim vetëm për t’u dëfryer apo kemi ndonjë mision më fisnik. Njeriu ose jeton për të punuar për atë qëllim fisnik, ose mendon se jemi prodhim i rastësisë dhe kalon jetën si të ishte “ parashutistë”. Nga të shkojnë krejt, si thonë disa! Disa njerëz edhe pse lindin dhe vdesin në pleqëri, në varrin e tij do duhej të shkruheshin fjalët:  Lindi, nuk jetoi dhe vdiq.

Këshilla për jetë: Mos keqpërdor, mos u bë nxënës i djallit!

Dhj
22

99999988787Imagjinoj veten, në një moshë të shtyrë, e pa fuqishme, pa mbështetje e përkrahje, e lodhur, e pa vullnet, e frikësuar!

Shkruan: Arlinda Topojani

Asgjë nuk do më kënaqte më tepër sesa të kthehesha në kohën e kaluar.

Imagjinoj veten, në një vend të mbyllur, e plogështuar prej ndonjë sëmundjeje, e nënshtruar, duke bërë përpjekje që t’i kthehem Zotit tim me pendim e lutje; por mos ma thotë vetëm maja e gjuhës! E pafuqishme që të kryej faljen ashtu siç e bëjnë të shëndoshët, ashtu e mbështetur, e thelluar në mendime, a thua vallë, a mund të arrij të bëj diçka sa më ka mbet jetë!

E fillon të qortosh veten! Sa pak mendoje, vërtiteshe sa poshtë e lartë, sa ishe e shëndoshë, nuk e përkujtoje Zotin tënd, s’bëje namaz. Rrije në këmbët tua, ama jo në adhurim ndaj Allahut! Këmba të shkelte në vende të ndaluara. Gjuha nuk i thërriste mendjes, e të pendohej, por fliste e lëvizte për gjëra të ndaluara! Të dëgjuarit nuk e kishe të edukuar, dëgjonte të keqen, e pranonte atë; po edhe sytë s’të shihnin argumentet, por të ndaluarën!

Kështu, duke imagjinuar njeriun që i iku koha! I shtrirë në shtratin e sëmundjes, në vendin para vdekjes. Sa përbuzës ishe ndaj dhuntive të Zotit tënd, Allahut! I keqpërdore, ndjeke cytjet e djallit të mallkuar! Ndërsa, udhëtimin e sigurt, sikur trenin në binar të sigurt, e injorove, e sot, mund të jetë vonë.

Imagjinoj veten, sikur një kur kujton të kaluarën e tij, argëtimet, kënaqësitë, mëkatet, joseriozitetin! E frikësuar ku më shkoj rinia, jeta, forca, ambiciet, vullneti! A është Allahu i kënaqur, apo i pakënaqur prej meje! Asgjë nuk do më kënaqte më tepër se ta ktheja kohën e kaluar, e të fillonte një jetë e re, nën hijen e sistemit Islam.

Jo, njeriun e ndërgjegjshëm asgjë nuk do ta kënaqte, kur kujton kënaqësitë, e kënaqësitë shkuan, e mëkatet sikur mbetën; brenga e trishtimi! E pyetesh, ku ishe, vallë? Pse s’e mendoje këtë kohë? Po tani ringjalljen e kujton? Jetën Tjetër?

Imagjinoj veten, duke shtrënguar duart, dhëmbët, por, e dobët, e pa forcë për t’i ndal…Lotët pikojnë. E sot turpërohesh, ndoshta edhe për të kërkuar falje! Megjithatë, ti pendohesh, por sa vlen sinqeriteti i atij pendimi, kur gjithçka kishe në dorë, e keqpërdorje. Edhe pse ti ishe në dijeni se jeta e Dunjasë është e shkurtër, ndërsa amshimi është në Jetën pasvdekjes, në Ahiret!

E thua, në vend se, të isha ruajtur e të kisha bërë vepra të mira, që nesër nga vdekja të mos kisha frikë, por po ndodhë e kundërta sot, po qan se për ku je nisur! Ke filluar një udhëtim, e ti i papërgatitur për të. Tërë jetën kishe, por asgjë s’kurseve. Asgjë nuk mbjelle.

Njeriu i falimentuar! Si nuk e imagjinon veten duke iu përgjigjur melaikeve pas vdekjes! Vështirësitë në urën e Siratit! Tmerrin në ditën e Llogarisë! Atëherë kur nuk të bie ndërmend për mallin e pasurinë, e as për nënë e babë, as për fëmijë, e as për vëlla e motër! Vetëm ti e halli yt ku do jenë! Allahu të premtoi shpërblime, ndërsa ti ia ktheve shpinën rrugës së Tij, duke synuar kënaqësitë e Dunjasë dhe të robërve të Zotit.

Lënie e Jetës së Pasosur për një jetë të shkurtë, e përplot gënjeshtra!

O ju të cilët jeni akoma të freskët, mos e pritni atë ditë, as edhe një sekondë, por zgjohuni e veproni, adhurojeni vetëm Allahun, Ai nuk e thyen premtimin! Që të mos thoni nesër: vdekja nuk paska njohur moshë, pasi vjen befas, e mund të jetë në prag të derës!

Allahu na bëftë prej besimdrejtëve!

Dhj
16

798789Qëllimi i institucionit shkollor duhet të jetë që të rinjtë (nxënësit) duhet ta ndjejnë që janë pjesa më e rëndësishme e shoqërisë… 

Shkruan: Alban Hysa 

Mangësi në relacionet: Familje – Shkollë – Nxënës. Dhe, gjuha e komunikimit të mësimdhënësit me nxënësin. 

Në ditët e sotme në vendin tonë procesi i arsimimit dhe i edukimit po shfaq një shthurje apo dis-balancë nga procesi i zhvillimeve shoqërore-ekonomike brenda dhe jashtë vendit. Duke qenë të vetëdijshëm se edukimi është i pandarë nga shoqëria në të cilën ajo shoqëri zhvillohet, atëherë ne po flasim për edukimin e përgjithshëm të shoqërisë, në të cilën janë pjesëmarrës edhe të rinjtë (nxënësit), të cilët përmes shkollimit (edukimit) arrijnë të përvetësojnë njohuri dhe vlera që na përcjellin ne gjatë tërë jetës.  

Por, është e qartë se një grupi shoqëror (e në këtë rast po aludojmë në edukimin e nxënësve), nuk mund t’i jepen kurrsesi të gjitha njohuritë, apo vlerat me të cilat mund të identifikohemi si shoqëri përparimtare, sepse edukimi nuk fillon vetëm me procesin e shkollimit. Duke e ditur se “agjenda primare”’ të jetës sociale të individit janë: familja, shkolla, moshatarët, masmediat; atëherë këtu duhet të theksojmë se edukimi i të rinjve (nxënësve) shtrihet në faza të ndryshme dhe gjithashtu përcillet nga koordinimi i mirëfilltë dhe i vazhdueshëm i faktorëve që u përmenden më lartë. 

Çështjen e ddukimit të të rinjve (nxënësve) duhet trajtuar sipas rëndësisë dhe faktorëve kryesorë që e përcjellin atë, për shembull: dështimi shkollor; përshtatja e sistemit edukativo arsimor në kulturën e komunitetit shoqëror përkatës; gjuha e arsimit në procesin mësimor etj., etj.. Të fillojmë me trajtimin e parë të rëndësishëm “Dështimi shkollor”. 

Jemi dëshmitarë se në vendin tonë nuk po arrihet dot një mesatare e kënaqshme apo një rezultat i mirë i nxënësve që po aftësohen për orientime profesionale të mëtutjeshme. Shtrohet pyetja: Përse të rinjtë (nxënësit) në vendin tonë dështojnë të kenë rezultate të mira dhe nuk po arrijnë aftësimin e duhur profesional dhe arsimor? 

Problemi është sepse kemi një mangësi të madhe në trekëndëshin: Familja – Shkolla – Nxënësi, dhe anasjelltas!  

Siç theksuam më herët,familja është një ndër shtyllat më të rëndësishme në edukimin e individit, si pjesë e pandashme e shoqërisë, por gjithashtu jemi të vetëdijshëm se me të vërtetë po punohet pak me te rinjtë nga familjet tona. Ne nuk po u ndihmojmë atyre që së paku t’i orientojmë në rrugën e duhur, dhe mos t’i lemë pa identitet dhe vlera.  

Është e vërtetë që në rrethanat tona është e vështire t’u ofrojmë kushte për t’i arsimuar, ngase jemi në një gjendje ekonomiko-sociale jo të kënaqshme, mos të them “të mjerë”, por a duhen kushte të veçanta për t’iu ndihmuar që së paku mos të ndihen të lënë pas dore? 

Pastaj, nuk duhet anashkaluar edhe mos koordinimin dhe papërgjegjësinë e institucioneve shkollore, që për mendimin tim, ka një pa kujdesi të madhe në frymën e trajtimit sa më adekuat të nxënësve në proceset mësimore. Qëllimi i institucionit shkollor duhet të jetë që, të rinjtë (nxënësit) të ndjehen pjesa më e rëndësishme e shoqërisë, ashtu siç edhe janë, e mos të ndjehen si “udhëtarë”, që rastësisht u gjendën në “stacion të panjohur”. 

Duke e ditur që shkolla për nxënësit është urë lidhëse për formimin e personalitetit të individit, dalin me përfundimin se, kjo i dallon ata nga diçka që nuk përkon me arsimimin apo edukimin e tyre. Mirëpo, gjendja e krijuar nuk duhet trajtuar njëanshëm. Edhe të rinjtë tanë si një “armë e fortë”’ e shoqërisë, duhet të vetëdijesohen se duke përvetësuar vlerat dhe parimet njerëzore, qofshin ato nga familja, shkolla apo shoqëria, në të ardhmen ata do t’ia lehtësojnë vetes së tyre problemet që na sfidojnë pa mëshirshëm në jetën tonë. 

Rëndësia tjetër që duhet trajtuar është përshtypja e sistemit edukativ në kulturën e komunitetit shoqëror. Arrijmë të dilema si të arrihet ky qëllim? Shkolla si institucion publik edukativo-arsimor, duhet që me angazhimin e gjithë pjesëtarëve të saj, që udhëheqin apo shfrytëzojnë atë si e drejtë e tyrja, gjithashtu të sillen në mënyre të drejtë dhe të shfaqin një kulturë më të kënaqshme duke iu përshtatur vlerave të asaj shoqërie përkatëse.  

Gjithashtu pjesëmarrësit e veprimtarisë në procesin arsimor (udhëheqja e shkollës, profesorët, nxënësit) duhet që me angazhim të pashoq, që të arrijnë bashkërisht t’iu përmbahen rregullave apo kodeve shkollore, për shembull: uniforma kolektive (këtë rast të respektohet edhe veshja e nxënësve muslimane) trajnime profesionale me qëllim të largimit të nxënësve nga dukuritë negative shoqërore, siç janë: narkotizimi, alkooli dhe prostitucioni si dhe parandalimi i tyre, aktivitete kulturore-sportive, kuize të ndryshme me qëllim të motivimit të nxënësve për dituri, ofrimit të internetit dhe bibliotekës që nxënësit të krijojnë vetëdijesim dhe shprehi leximi. 

Gjithashtu nuk bën të harrohet edhe sjellja kolektive e nxënësve, e cila nuk duhet të shkaktojë shqetësime tek banoret që jetojnë pranë institucioneve shkollore. Faktori tjetër i rëndësishëm që duhet trajtuar me kujdes të veçantë, gjë që mungon në shkollat tona, është gjuha e arsimit apo thënë thjeshtë gjuha komunikuese profesionale që përdoret në procesin arsimor. Këtu duhet pasur parasysh se nxënësit dhe ata që u shërbejnë atyre duhet ta ndjenë se “gjuha e arsimit” i dallon ata, dhe i identifikon si pjesë intelektuale e një shoqërie progresive. 

Duku si të jesh apo bëhu si të dukesh.

Dhj
16

75675677Për të qenë të gjithë të barabartë, duhet të jemi largpamës, të jemi në gjendje që të mund të shërojmë e jo lëndojmë!

Shkruan: Arlinda Topojani

Të barabartë në të drejta dhe përgjegjësish.

Njerëzit në thelb janë të njëjtë dhe asnjë dallim i vërtetë nuk guxon të bëhet midis tyre, në llogari të dallimeve aksidentale siç janë: kombi, ngjyra apo raca. Çdo qenie njerëzore disi është e lidhur me tjerët, dhe të gjithë bëhen një bashkësi e vëllazëruar në adhurimin e të Mëshirshmit, Zotit të Universit. Në një atmosferë aq hyjnore të besuarit në një Zot, qëndron në mënyrë dominonte e qendrore, dhe detyrimisht urdhëron konceptin mbi unitetin dhe vëllazërimin e njerëzimit.

Askush s’ka të drejtë t’i kufizojë të drejtat (apo të privilegjojë) njerëzore në kufijtë gjeografikë të vendit të vet, sepse toka është e shenjtë dhe është e krijuar para njerëzimit, që t’i shërbejë njerëzimit, në mënyrë që të jemi të kënaqur me krijimin e saj e jo në keqpërdorim të saj. Pavarësisht kënd e kemi nikoqir në vendin apo në kasollen tonë, duhet t’u ofrojmë ambient të ngrohtë. Kudo që të jetojmë, kudo që të shkojmë, kudo që të shkollohemi, kudo që të punojmë, kudo që të takohemi me çdo njeri duhet ta vlerësojmë, çmojmë e respektojmë, siç e meriton, në mënyrë që liria, harmonia, lumturia e mbi të gjitha mirëkuptimi ndaj të drejtave dhe përgjegjësive të jemi të barabartë, e ky të jetë ideali ynë.

Duhet parashtruar disa të drejta të përgjithshme fondamentale si një tërësi, të cilat duhet respektuar dhe nderuar në të gjitha rrethanat, qoftë individi banor në territorin e vendit të vet apo jashtë tij, qoftë ai apo ajo në paqe apo në luftë me të.

Gjaku i njeriut është i shenjtë dhe nuk guxon të derdhet pa arsye. Nëse ndonjëri e shkel këtë shenjtëri të gjakut njerëzor duke e mbytur një njeri pa faj, kjo barazohet me mbytjen e tërë njerëzimit, sepse edhe ai i vdekuri ka dikë që vuan për të, ka ndoshta fëmijë që kanë pritur kafshatë prej tij, ndoshta ka një nuse që i kanë mbetur në përkujdesje jetimët, ndoshta ka një nënë që e ka mbajtur në prehrin e saj, e tani djalin e ka varrosur në varr, ka ndoshta një motër, e që tani vëlla nuk ka e t’i ketë këputur krahu i djathtë.

Për të qenë të gjithë të barabartë, duhet të jemi largpamës, të jemi në gjendje që të mund të shërojmë e jo lëndojmë, që të mund t’u ofrojmë dashurinë atyre që janë më të dobët se ne, sepse sado që të kesh kokën lart këmbët i ke në tokë, që të mund të jemi të sinqertë edhe atëherë kur pozitë pretendojmë të kemi.

Nderin dhe dinjitetin e njeriut duhet respektuar nga fakti se i gjithë njerëzimi e ka historikun e njëjtë në etapën e zhvillimit. E sidomos ndaj gruas, që në kohë të ndryshme i është bërë padrejtësi. Edhe pse disa të verbër në mendje nuk e pranojnë faktin të barazohen me të tjerë në pasuri, pozitë a karrierë, por sado që ta mohojnë këtë gjë, pra barazinë, gjymtyrët e trupin në brendi dhe fizionominë e jashtme na e bëjnë të pa nuhatur në bindjen se që të gjithë jemi të barabartë; a pranohet a refuzohet, ky është një fakt që s’mohohet dot!

Njeriu i uritur medoemos duhet të ushqehet, i zhveshuri të vishet dhe të plagosurit apo të sëmurit të shërohen, pa marr parasysh a i takojnë mikut apo armikut.

Të pasurit nuk duhet nënçmuar të varfrit, të bardhët nuk duhet nënçmuar të zinjtë, të lartit nuk duhet nënçmuar të ulëtit, të fortit nuk duhet nënçmuar të dobëtit, të shëndoshët nuk duhet nënçmuar të sëmurët.

E gjithë ajo që u tha, ngërthen në vete një kuptim dhe domethënie, duke pasur parasysh faktin që të gjithë jemi njerëz, prej mishi e gjaku.

Dhj
13

57567576Duket sikur po ta përkthejmë fjalën jetë ajo nënkupton me thënien se të jetosh donë të thotë të jesh i provokuar nga vetë jeta jote.

Shkruan: Kastriot Bushi

Buzëqeshi botes edhe pse ajo ndoshta nuk te sheh.

Për atë që shkruan, ndodh që edhe penës i vjen turp të rrëshqas në letrën e bardhë dhe të vallëzojë në melodinë e mendimeve të bukura e të dobishme, sepse dora nuk i përcjellë ritmet e duhura. – Ndërsa për një lexues është e lehtë sepse e lexon (shkrimin) jashtë momentit të ngjarjes. Aty ku e gjen edhe e lexon.

Ëmbëlsia e gjuhës me të shkruarit më duket se i ngjanë gjinisë njerëzore, sikur ajo paraqitet apo zënë vend aty ku natyra e saj plotësohet. – Të flitet për një ngjarje është ajo që e mbanë atë lloj ngjarje a karakter, ndërsa të shkruarit për të përbën rrugën dhe limitet e saj. E çuditshmja e mbanë peng njeriun e arsyeshëm deri sa ta zbulojë vetveten në të kuptuarit metodik që mund të bëjë.

Sinteza e mundësisë dhe dëshirës! Njeriu me lindjen e tij, me momentin e hedhjes në këtë botë është një “provokim” për familjen dhe raportet e tjera shoqërore, që me kohë kaliten në veten e tij apo e rrumbullakësojnë me mire të themi natyrën e tij në të ardhmen.

Duket sikur po ta përkthejmë fjalën jetë ajo nënkupton me thënien se të jetosh donë të thotë të jesh i provokuar nga vetë jeta jote. – Liria e individit është ajo “doza” se sa mund të ikë provokimi në vetë veprimet e çdo individi në jetën sociale, pra e përcakton në njëfarë mase dhe e përkufizon atë (njeriun) në kalimin e ligjit të mundësisë kundruall atij të dëshirës. – I gjendur në këtë mes personi përmes “provokimit-jetës” e paraqet karakterin, sinqeritetin mendjemprehtësinë dhe domosdoshmërinë e vullnetit aktiv etj.,etj., që është e huaj në Ne dhe jashtë neve gjendet bota që pret me buzëqeshjen o me hidhërimin tonë në përditshmërinë monotone.

Buzëqeshi botes edhe pse ajo ndoshta nuk te sheh…!

Dhj
13

7675675

Mos përjeto vdekje, përjeto gjallëri. Zemrat e gjalla nuk vdesin. I përshkuari me udhëzimin e Zotit të vet, nuk ndjen vdekje, por ndjen jetë.

Shkruan: Avni Tafili

Dita fillon për ty edhe pa krijesat e Zotit, edhe pa diellin. Kjo të forcon.

Zgjohesh. Po fillon të ndjesh për pak çaste vetminë. E pse të mos ndjesh praninë e kujdestarëve. Vështro përreth teje, do ndjesh praninë e mbrojtësve. Të porosisin që të mos hidhërohesh e as të mos shqetësohesh. Ti, duke lavdëruar Zotin tënd, shpirti të ripërtërihet me plot gjallëri. Të ngazëllen. Je i udhëzuari me qëllim e mision. Të pamirit e të dëgjuarit, të rrëfejnë argumentin e vdekjes. Jo që të vdesësh, por që të gjallërohesh. Sikur të thonë, të mos veprosh diçka që zemrën lëndon; të këshillojnë të mos lejosh që zemra të merret peng prej të keqes.

Mendja e freskuar me pushtetin e Zotit tënd. E kthjellët, e qetë. Të pëshpëritë në heshtje, që të zgjohesh bashkë me udhëzimin e Zotit tënd, dita është duke filluar, mos rri duarmbledhur, mos kujto të zezën e të djeshmes, sot filloi dita, jetoje duke e menduar çka pas së sotshmes, adhuro Zotin tënd, falëndero dhuntitë e Tij, respekto krijesat e Tij duke madhëruar Krijuesin e tyre. Çfarë kënaqësie që mund të ndjesh! Ç’ndjenjë dëlirësie.

Shpirt i qetë. Ende rrezet e diellit s’kanë prekur fytyrën e tokës. E fytyra jote të ketë prekur tokën duke madhëruar Krijuesin e fytyrës sate. Ç’madhështi të jesh rob i Zotit të Gjithëpushtetshëm! Të gjesh Zotin tënd me tërë qenien tënde; të ndjesh sigurinë e plotë, dashurinë ndaj të Dashurit, të Atij që krijoi në zemrën tënde dashurinë ndaj të vërtetës, të bukurës e të pastrës.

Të kthehesh pak mbrapa në kohë. Kur hape sytë, fillove të ndjesh pushimin, këndelljen e zemrës, e të ndjesh prapë gjallërinë; kur ja duke i zbritur pëllëmbët e këmbëve në tokë, ende pa e ndierë lëvizjen e tokës, e ndjen sigurinë. Ec pra duke menduar për gjumin, argument i vdekjes, përjetoje gjallërinë duke falënderuar Zotin, Krijuesi i jetës dhe i vdekjes!

Mos përjeto vdekje, përjeto gjallëri. Zemrat e gjalla nuk vdesin. I përshkuari me udhëzimin e Zotit të vet, nuk ndjen vdekje, por ndjen jetë. Duke përkujtuar argumentet e Zotit, fillon të ndjesh një forcë brenda vetes, e cila, të shtyn të jesh më i ndrojtur, më i kujdesshëm, por edhe më i guximshëm. Forcë e besimit; të kumton porosinë, të jesh edhe më i vëmendshëm ndaj sprovave të ditës sate.

Ti më je falënderues. Je i ruajturi. Je i mëshiruari. Je i pastruari. Ndaj teje po luten ushtarët e pushtetit të Zotit tënd. Kur ti ngrihesh duke madhështuar e lavdëruar Zotin e këtij pushteti. Ty të përshkon qetësia hyjnore. Të përshkon mburoja hyjnore. Nuk ka as frikë, e as shqetësim për ty. Dielli le të rrezojë tokën, ti e rrezove zemrën tënde me udhëzimin e Zotit tënd; ti e ndriçove shpirtin tënd me adhurim ndaj Zotit të saj; ty t’u ndërgjegjësua mendja ende pa e parë dritën.

Kjo është dhunti. Dita fillon për ty edhe pa krijesat e Zotit, edhe pa diellin. Kjo të forcon. Nuk je nevojtar për krijesat. Je adhurues vetëm ndaj Zotit tënd. Çkado që ndodhë, ti je i pavarur ndaj asaj që ndodhë, nuk të lëndon e as nuk të dobëson, sepse je nën hijen e pushtetit të Zotit tënd. Nuk të prek fjala që lëndon, e as vepra që dëmton; ty të bën edhe më të pathyeshëm, ta forcon edhe më tepër bindjen dhe përkushtimin ndaj Krijuesit tënd.

Forca e udhëzimit çan çdo pengesë, tejkalon çdo përfytyrim, të voglin e bën të madh, të dobëtin e bën të fortë, hidhërimin e shndërron në gëzim, dëshpërimin në shpresë plotë. Duke u zgjuar nën hijen e pushtetit të Zotit tënd, je si shembulli i atij që i shuhet etja kur pi ujë.

I lavdëruar është Allahu, para se të lavdërohet prej krijesave të Tij.

Dhj
13

6546466“Paragjykimet si qëndrime negative janë burim i diskriminimit që është sjellje negative. Për këtë arsye paragjykimi është edhe një problem i madh sot në botë. Mbi bazën e paragjykimeve janë zhvilluar shumë luftëra në botë, të cilat kanë pasur pasoja katastrofale.”

Shkruan: Muhamed Spahiu

Fillimisht paragjykimin duhet pranuar si ves, i cili duhet të luftohet brenda personalitetit, para se ai të bëhet pjesë e sjelljes dhe kulturës sonë.

Paragjykim është mendim i gabuar; i ngulitur nga njohja jo e plotë e dukurive të botës dhe e shkaqeve të tyre, nga i cili niset dikush në gjykimet e në veprimet e tij në kundërshtim me dijen e arsyen. Apo, pikëpamje a qëndrim, që formohet nën ndikimin e shoqërisë e të mjedisit dhe mosnjohja e përvoja e jetës. Pra, me paragjykim nënkuptojmë diçka që është formuar që më parë për dikë a për diçka pa e njohur mirë dhe që e pengon për ta vlerësuar atë me paanësi.

Historia botërore dhe jeta e çdo individi janë të mbushura me raste të përditshme mospëlqimesh dhe urrejtjesh shpesh herë pa shkak. Këto mospëlqimesh dhe urrejtjesh janë pasojë e besimeve, qëndrimeve, dhe sjelljeve të gabuara, pa shkak dhe shpesh të pavetëdijshme të individëve ndaj grupeve të caktuara shoqërore. Njeriu është krijuar nga një përzierje e bashkëdyzuar e cila në vete përmban virtyte dhe vese. Arsyeja e kësaj është të sprovohet njeriu se cila nga këto dy fuqi do të ngadhënjejë tek ai. Me përfilljen e Mësimeve Hyjnore dhe arsyes së shëndoshë, ai do të jetë i aftë që t’i mposhtë tendencat e liga, vesin, të shëmtuarën dhe të kotën, ndërsa në të kundërtën, nëse ai tregohet neglizhent ndaj këtyre mësimeve, ai nuk do të jetë i gatshëm që të përballet me to dhe nga kjo arenë do të dalë si i mposhtur. Njerëzit i perceptojnë veprimet dhe qëndrimet e grupit tjetër në mënyrë të ndryshme nga veprimet e veta apo anëtarëve të grupit ku bëjnë pjesë.

Midis dy grupeve apo dy personave që konfliktohen ka gjithmonë diçka të përbashkët: tendenca për të gjetur fajin tek grupi apo personi tjetër. Kjo ndodhë pikërisht për shkak të urrejtjes grupore e cila vazhdon pa fund. Urrejtja e krijuar në mes grupeve bën që gjithmonë të tjerët t’i shohim si të rrezikshëm dhe me qëllime armiqësore për grupin tonë. Kjo pamundëson gjykimin e drejtë me anë të logjikës së shëndoshë, dhe bën që emocionet të jenë aleat i fuqishëm kundër saj. Për këtë arsye, Këshilltari i Njerëzimit, Muhamedi a.s. thotë se: “Urrejtja i zhdukë veprat e mira, ashtu siç i djegë zjarri drutë”.

Paragjykimi vlerësohet si qëndrim, zakonisht negativ, ndaj anëtarëve të disa grupeve dhe që bazohet vetëm në anëtarësinë e tyre në këto grupe. Cilësitë individuale të anëtarëve të këtyre grupeve nuk kanë rëndësi, ata nuk pëlqehen, sepse, thjesht u përkasin grupeve të tilla. Një vlerësim i tillë ndodhë edhe ndaj anëtarëve të disa familjeve, dhe kjo është një dukuri mjaft e përhapur në kulturën tradicionale të shqiptarëve. Shpesh ndodhë që njerëzit kanë qëndrim negativ, ndaj anëtarëve të disa familjeve dhe që ky qëndrim bazohet vetëm në anëtarësinë e tyre në këto familje. Cilësitë individuale të anëtarëve të këtyre familjeve nuk kanë rëndësi, ata nuk pëlqehen, sepse, thjesht u përkasin familjeve të tilla. Përderisa për këtë Profeti Muhamed transmetohet të ketë thënë: “Dy Gjëra nëse gjenden tek njerëzit, do t’i shpijnë ata në humbje: përbuzja e dikujt për shkak të prejardhjes së tij dhe vajtimi për të vdekurin”.

Këto vlerësime negative ndaj të tjerëve janë quajtur si paragjykime dhe mundë të rrjedhin nga nevoja për të justifikuar sjelljen, nga shoqërime të caktuara emocionale, që shpesh janë besime, ide apo koncepte negative. Besime të tilla për cilësi personale të një grupi njerëzish janë quajtur stereotipi. Stereotipet janë përgjithësime skajore, të pa sakta. Stereotipet janë besime që shoqërojnë grupet e njerëzve me disa lloje të veçanta karakteristikash. P.sh. japonezët janë tinëzarë, italianët emocional, anglezët të ftohtë, çifutët materialist, serbët janë mizorë etj.. Përderisa stereotipat janë besime të gabuara përgjithësuese, paragjykimet janë qëndrime negative.

Paragjykimet si qëndrime negative janë burim i diskriminimit që është sjellje negative. Për këtë arsye paragjykimi është edhe një problem i madh sot në botë. Mbi bazën e paragjykimeve janë zhvilluar shumë luftëra në botë, të cilat kanë pasur pasoja katastrofale. E gjithë kjo ka ndodhur si pasojë se paragjykimet kanë një shtrirje të gjerë në qëndrimet njerëzore. Nëse paragjykimet janë qëndrime negative, atëherë cila është rruga që të ndryshohen këto qëndrime?

Fillimisht paragjykimin duhet pranuar si ves, i cili duhet të luftohet brenda personalitetit, para se ai të bëhet pjesë e sjelljes dhe kulturës sonë. Rruga për eliminimin e këtij vesi padyshim se nuk është e shkurtër dhe pa sakrifica. Mirëpo, çdo rrugë e gjatë fillon me një hap, e pastaj me insistimin e vazhdueshëm për të arritur në cakun e dëshiruar ajo mbaron. Hapi i parë dhe vendimtarë në këtë rrugë është që njeriu të pranoj betejën me vetën e tij dhe pastaj të zhytet në thellësitë e saj, për të zbuluar dobësitë dhe gjithë atë që e shqetëson shpirtin e tij. Pra njeriu duhet të ndërtoj qëndrime dhe të marrë vendime duke u bazuar në arsyen për kundër emocioneve dhe epshit.

Dhj
11

898090Nuk bëhesh intelektual nëse blen një gazetë ditore. Nuk bëhesh intelektual nëse vishesh me kostum dhe kravatë. Intelektual bëhesh duke lexuar libra të dobishëm dhe duke provuar guximin që të kundërshtosh të ligat…

Shkruan: Faton Zharku

Sot secili po e këqyrë interesin e vet. Hallin e tjetrit nuk e ka dert hiç.

Humori pa “kripë”. Thonë se humori është mjetë për të çrrënjosur shumë dukuri negative tek shoqëritë e ndryshme. Tek ne humori bëhet për t’i mbushur xhepat me para të majme. Të bësh humor pa e gjetur mjetin e duhur kjo nuk është e drejtë. Përqeshin figurën e hoxhës, bëhet humor edhe me haxhiun plak, e me namazin që është falje e rregullt tek muslimanët etj. Aq poshtë kemi rënë ne si shoqëri, sa që bëhet tallje me çështjesh të shenjta. Kjo është marri. Kjo duhet të ndalet me ligj. Bëni humor. Po gjellës duhet hedhur kripë për t’u bërë e shijshme. Pra, mos e leni humorin pa “kripë”. Bëni humor por me kufij. Mos e teproni, se ju bënë zarar.

Filmi mesazh-prishës. Shumë filma që lëshohen në kanalet tona kanë efekte negative për ne si shoqëri. Filmat e sodit kanë përmbajtje që promovojnë dhe nxisin dhunën. Kemi filma që nxisin dhe reklamojnë skena të turpshme. Ka edhe filma që nuk thonë asgjë, por që janë të prodhuar thjesht për t’ua humbur kohën njerëzve. Është e dhimbshme si ndikojnë mesazhet e filmave në jetën tonë. Sheh rini që si identitet ka dhunën; sheh disa të rinj se si ndahen prej njëri-tjetrit duke i kopjuar seritë latino-amerikane. Sheh njerëz se si e kanë humbur moralin etj.. Fajet i kanë skenaristët (ata që i shkruajnë tekstet e filmave). Më së shumti fajet i kanë ata që ia thonë këtyre filmave po-në e madhe!  Jeta nuk është si në film. Shumë më ndryshe është ajo.

Intelektualët e rrejshëm. Vlerësimi që ia japim ne njerëzve është i gabueshëm. Nuk bëhesh intelektual nëse blen një gazetë ditore. Nuk bëhesh intelektual nëse vishesh me kostum dhe kravat. Intelektual bëhesh duke lexuar libra të dobishëm dhe duke provuar guximin që të kundërshtosh të ligat, që e kanë pllakosur shoqërinë tonë. Intelektuali që heshtë, ai bëhet pjesë e vetë të keqes. Intelektuali lexon, mendon, vepron. Ai frymon i gjallë. Shumë njerëz janë “të vdekur”, edhe nëse marrin frymë.

Egoizmi në modë. Përpara nuk kishin pas ditur njerëzit! E kishin ndarë kafshatën e bukës në mes veti. Shtëpia e fqinjit ka qenë si shtëpia jote. Paratë e fundit ua kanë dhënë të tjerëve, edhe pse veten e kanë lënë shumë keq. Pllaka e jetës u ndërrua! Sot secili po e këqyrë interesin e vet. Hallin e tjetrit nuk e ka dert hiç. Nuk mërzitet si i ka punët fqinji i vet… Jeton njeriu sot më izoluar se kurrë. Edhe atë të  mirë që e ka, s’ka me kë ta ndajë. Po thonë se është bërë jeta e mërzitshme. Egoistët apo ata që dëshirojnë vetëm për vete, kanë një sëmundje që duhet shëruar!  Bëje shprehi dhënien e të mirave të tjerëve, do ta shohësh se si shërohet egoizmi!

Musafir i padashur. Krejt kohën po e ndajmë në dy pjesë: si ka qenë përpara dhe si është sot. Familjarët janë gëzuar kur ka ardhur dikush i farefisit për vizitë. Sot ndodhë e kundërta: gëzohen kur musafiri shkon! Krejt prapthi po e bëjmë këtë jetë. Po thonë se ka ardhur kohë e keqe. Pse e fajësoni kohën! Sa ka pas jetë, gjithherë në kohë, ka rrezuar dielli, ka rënë shi dhe borë, ka mbajtur edhe nxehtë edhe ftohtë. Sa herë ka pas ditë dhe natë. Koha s’ka ndryshuar. Njerëzit po. Pra, jeta do të bëhet më e bukur, kur të hapet “dera” e zemrës dhe të gëzohet kur të na vijnë musafirët dhe të ndiejmë mërzi kur të largohen nga shtëpitë tona.

Ndryshimi për të mirë vije ngadalë. Ashtu siç lind dielli pas errësirës.

Dhj
11

93249240E si mund të jetë halli i njerëzve të rëndomtë, nëse kreu më i lartë i vendit është i edukuar në një ambient, ku nuk përfillen vlerat e qenies njerëzore!

Shkruan: Arlinda Topojani

Diskriminimi, padrejtësi.

Shoqëria e pastër pa diskriminim është sistem për jetën praktike të njeriut në të gjitha sferat e jetës. Ky sistem vë në veprim themelet praktike të jetës njerëzore që përfshinë bazën etike, rendin shoqëror, sistemin ekonomik, politik e gjitha sistemet tjera.

Shumë njerëz për nga natyrshmëria e tyre sigurisht që janë kundër diskriminimit, e çfarëdo forme qoftë, dhe se jeta për të qenë e mirëqenë duhet të jetë pa diskriminim. Mirëpo,  njerëz të tjerë dorëzohen duke thënë se, nuk jetohet pa këtë dukuri, e disa të tjerë jetojnë ashtu siç u bie më lehtë e më mirë. Çdo herë kur diçka është aktuale është edhe e alarmuar, fakt i përpjekjes për eliminimin e së ligës dhe shtimin e së mirës. Të gjitha këto ndodhin, duke qenë njeriu faktor, me dashje a pa dashje, me dije a pa dije, me vullnet apo pavullnet. E, ndodhë që, disa njerëz,  duke mposhtur të tjerët, synojnë të lartësojnë veten e tyre. Këtu bëhet fjalë për ata individë, apo rreth shoqërorë që diskriminojnë të tjerë. Ndoshta edhe duke mos qenë kompetentë – përgjegjës e të thirrur, por thjesht pse u janë shtrembëruar zemrat, e verbuar mendjet.

Çdo herë kur flasim për diskriminim dhe pasojat e tij, kemi parasysh faktin, se, gjitha këto të meta na dhurohen nga njerëzit, që dikur s’kanë qenë askush e gjoja se sot janë bërë dikush. Individi trashëgon shumë cilësi nga familja dhe vazhdon të mburret me ato cilësi, sepse akëcili është frymëzuar ashtu,  e çdo shoqëri ka një institucion edukimi, e ai institucion është shtëpia kur dhe fillon edukimi, varësisht kahen ka ua japin, fëmija me atë që rritet me atë do të jetojë, ai fëmijë me atë edukatë nesër apo pasnesër mund të bëhet udhëheqës!

E si mund të jetë halli i njerëzve të rëndomtë, nëse kreu më i lartë i vendit është i edukuar në një ambient ku nuk janë përfillur vlerat e qenies njerëzore. Çdo njëri që bëhet pranues i një pushteti të tillë, duhet të mbetet konsekuent para popullit të tij, për hir të të cilit do të thirret lartë për ta zbatuar këtë pushtet.

Duhet që të jepet e drejta e lirisë së mendimit dhe të shprehjes të gjithë qytetarëve të vendit, me kusht që ajo të përdoret për përhapjen e nderit dhe të vërtetës, e jo për shtimin  e të ligës dhe amoralitetit.

Një gjë që Zoti nuk e donë, drejtësia nuk e lejon! E pse ti të diskriminosh. Atëherë vendo gishtin në kokë, se s’ke të drejtë askënd ta diskriminosh.

Dhj
08

5645645Kërkoj ndjesë! Është ditë Gëzimi për muslimanët e devotshëm! U gëzofshi me Xhennetet e Allahut, inshaAllah!

Shkruan: Avni Tafili

Dita e Dëshmimit të Bindjes, jo i Mishit.

Meqë, jemi në ditët e Sakrificës, dëshmisë së Bindjes, afrisë me Zotin tonë, do shkruaj pak, sadopak, rreth flijimit; kurbanit. Kurban, shprehje e adhurimit që bëhet ndaj Zotit me qëllim afrimin me Të, qoftë duke agjëruar, bërë namaz, në dhënien e Zekatit; por edhe kur theret sakrificë. Sakrifica, ushqim i shëndoshë e i pastër, duke kujtuar dhuntitë e Krijuesit, ushqehesh dhe ushqen; kujton e përkujton, mëson e përmirëson.

Dita e Sakrificës, jo ditë kur hahet mishi, e as dita Ed’hasë, nuk është ditë e Mishit, e as ditë e Mensës. E hiç më pak ditë e Terjes dhe Grumbullimit të mishit. Robërit e Zotit, janë krenar kur rrinë të uritur. Shpirtin e kanë ngirë, e nuk di të ngopet, kur në adhurim ndaj Zotit të tyre prehen e kënaqen. E kush ha mish, le të hajë, por kush ha, mendon se është duke marrë shpërblim, le t’i ndryshojë llogaritë. E meqë u përmend “llogaria”, ditën e Llogarisë s’do dilet i gëzuar me barqe të mbushura e me trupa të mëdhenj, por me zemra të shëndosha, gëzimin e plot ndjen!

Zemra! E vogla zemër, copë mishi, muskul, pompues gjaku. E rëndojnë në drekën e Festës. Po festojnë ditën e Bajramit. Bajram, fjalë e huaj, si vetë fjala “festë”. E festën e Bajramit, hiç e më hiç. Kurban Bajram, materializim i Islamit! Gëzuar Kurban Bajramin – çka thotë ky njeri! Kë gëzove? Shpërndave ushqim nevojtarëve? Pajtove të afërmit? T’u forcua bindja në Zotin tënd? Dëshmove bindjen e bujarinë? Më mirë thuaj, o Zot më fal, e të faltë, sesa gëzuar e u gëzofsha. Gëzohesh me dorën e shtrënguar? Apo me familjen e paudhëzuar? Apo me fqinjin që të ka prish murin e Shtëpisë? Apo me rininë që feston “koktej” në rrugë?

Materializimi i Bindjes! Bindja nuk pëshpëritet, por me zemër në guri gërryhet kur shkruhet! E shkruan dora e vepra, jo gjuha e lëvizja e Kokës. Ti zgjohesh, për të shkuar në Xhami, për të festuar, e jo për të falënderuar! Festa është për besimtarë, jo për hajlazë. Hajmedet! Mirë, të paktën, jepi syve ujë; sa për mall, le të shijojnë freskinë e ujit, se ti, kur Islamin e materializon, e veç në festa, kinse Islamin praktikon, sytë ka tharë; epshi i barkut tënd!

Bëhesh sikur flijon, madje edhe Zotin e përmend; e kur thirresh Zotin ta adhurosh, fillon e kundërshton, polemizon e arsyeton… Materialist! Edhe vetë këtë e kundërshton; ama je materialist. Sheh, por sheh njerëz me tesha, nuk sheh njerëz nëse kanë zemra, apo cunga. Si i udhëzuari si i humburi, për materialistin janë njësojë, kur ti ecë në rrugë vështron e dëgjon, a luajti interesi; biznesi i Dunjasë, vend i ulët e i poshtër, sot për nesër, të mos ishe materialist, ti ndryshe do të ishe, jeton për bark e për trup, ke harruar se gjithçka vdes, përveç Zotit, që të krijoi!

Sheh brinjë, mish e lëkurë! Hajmedet!

Mësim, në kulturat pagane, flijoheshin njerëzit për të sjellë fat të mirë, apo për t’iu afruar idhujve, a për t’u pajtuar, sipas idhujtarisë së tyre, me natyrën e egër. Errësira e një mendjeje njerëzore! Zemër e materializuar, peng i paganizmit. Edhe sot, në njëfarë mënyre a tjetër, shfaqen dukuri të trashëgimisë pagane, kur një kategori njerëzish i shndërrojnë disa njerëz të tjerë idole të tyre, duke sakrifikuar kurrizin e tyre në nënshtrim ndaj tyre, edhe pse edhe vetë ata që i përkulen idhujve të tyre, e dinë se ata – idolet e tyre, as vetes së tyre s’mund t’u sjellin ndonjë dobi. Hajmedet! Kur idolet e tyre nuk flasin, nuk shohin e as nuk dëgjojnë. Fotografi njerëzish në muret e shtëpisë!

Islami është fe e pastërtisë. Nuk pranon idhujtarinë. Thërret të mos adhurohet askush përveç Zotit që krijoi, – i  Cili jep jetë dhe merr, Allahut të Madhërishëm. Fton në natyrshmëri të pastër. Kur flijohet një sakrificë, gjaku nuk ruhet në ena të sigurta, e as brirët nuk adhurohen, e as mishi nuk shenjtërohet, por theret, duke kujtuar e falënderuar, menduar e respektuar; për të adhuruar vetëm Zotin, e jo krijesën njeri.

Kjo ditë Madhështore ka shumë për të thënë. Por, për të mos u zgjatur, është edhe një qortim, që të mos sakrifikohet njeriu por kafsha; kafsha, dhunti për njeriun. Dhe, njeriu të mos ushqejë virtyte të kafshës. Kurban, afrim. Duke respektuar urdhrin e Zotit, kujton mirësinë dhe mëshirën e Tij.

Edhe pse gjaku, kur derdhet të jep ndjesi të ftohtë; ama gjaku i njeriut kur nxehet, nuk dallon në është njeri apo kafshë. Me humbjen e maturisë, shuhet virtyti i njerëzisë.

Besimtari flijon, kafshën, jo njeriun. Forcon lidhjen me bujari. Jo mishi, po njeriu.

Thuaj: E besoj All-llahun, e pastaj vazhdo me ngulm (në këtë). – Hadith.

Dhj
07

654644Thuaj: jo fanatizmit. Fanatizmi është një dritë që të verbon. Njeriu fanatikë nuk gjykon me arsye, por me emocion..

Shkruan: Faton Zharku

Veprimi me arsye gjithherë jep fryte të ëmbla.

Thuaj: jo krimit. Pas vitit 1999, jeta në shoqërinë tonë shqiptare e ka ndërruar CD –në programuese dhe mund ta quajmë me një emër: CD Krim Kosova. Shumë krime janë bërë në “trupin” e Kosovës, mirëpo shumë pak janë zbuluar. Toka jonë ka një dhimbje të madhe. Krimet që po i mban ajo, nuk po lënë të qetësohet. Shumë krime kanë mbetur pa emër, edhe pse për to ka autor. Është urgjencë e kohës, t’i themi jo krimit. Ndihmë ndaj krimit llogaritet kur ne rrimë indiferent dhe pengesë e krimit bëhemi kur luftojmë atë.

JETA PA KRIM ËSHTË MË E ËMBËL. Thuaj: jo terrorit: Shumë njerëz për t”i arritur qëllimet e ulëta, nuk bëjnë kurrfarë zgjedhje të mjeteve për t’i realizuar ato. Fjala terror d.m.th. me ndjellë frikë tek zemrat e njerëzve. Shumë njerëz bëjnë ndonjë krim ndaj dikujt që të tjerëve me ua bërë me dije, se edhe ty mund të të gjejë kjo telashe. Ata njerëz që bëjnë terror, zgjedhjen e parë dhe të fundit e kanë mjetin e dhunës. Nuk ka për to alternativa tjera. Terrori nuk është prodhim vendor. Ai është importuar.

TERRORIN NUK DUHET TA “MBJELLIM NË ARËN TONË.”  Thuaj: jo fanatizmit. Fanatizmi është një dritë që të verbon. Njeriu fanatikë nuk gjykon me arsye, por me emocion. Veprimi me arsye gjithherë jep fryte të ëmbla. Emocioni të bënë të veprosh gjithherë në mënyrë të padrejtë. Fanatikët nuk shohin rrugë tjetër. Mendimi ndryshe për ta, është i refuzuar. O kështu, o s’ka tjetër. Shembull ta marrim, nëse një njeri ka lexuar vetëm një libër në jetë, ekziston mundësia që ai të mos pranojë që ka edhe miliarda libra të tjerë.

FANATIZMI ËSHTË RRUGË PA DALJE APO QORRE. Thuaj; jo bastoremanisë: Bastet tek ne janë bërë si kërpudhat që dalin pas shiut. Shumë të rinj janë bërë lojtarë të saj. Basti është një lloj vjedhje dhe plaçkitje tepër e përsosur. Të shkojnë paratë dhe ti je krejt njësoj me nerva. Po, nëse t’i vjedhë dikush paratë në shtëpi, ti do të bësh përpjekjen më të madhe për të gjetur fajtorin vjedhës. Djalli çdo ditë po  lëshon programe të mashtrimit. E ne si klient besnik të tij, nuk po e zhgënjejmë aspak. Mirë po i ec biznesi atij, deri sa të na del “gjumi ” neve.  Atëherë na ik ” treni”.

BASTI ËSHTË RREZIK I MADH PËR HUMBJEN E PASURISË. Thuaj: jo amoralitetit: Shumë burra në thonjëza e meritojnë që të mos quhen të tillë. Ata i lënë në shtëpi gratë e tyre në shtëpi dhe dalin në treg për të vënë në kurth me “rrjetë te merimangës” vajzat tjera, që trurin po e mbajnë kot së koti. Është bërë një fenomen shoqëror që duhet t’i priten rrënjët. Morali që kemi pasur, ndoshta edhe nga frika, ka mbetur vetëm në arkivat e kujtesës sonë. Për moralin bisedohet sot nëpër oda si kujtim nostalgjie.

MORALI ËSHTË FUQIA QË NA MBRON NGA DEGJENERIMI. Pesë elemente: krimi, terrori, fanatizmi, bastoremania dhe amoraliteti, nuk duhet t’i vendosim as në shportë të bërllokut, sepse prapë u vjen era e keqe.